Dëshmi: Zhani

Zhaneta Quhem Zhaneta Dashi. Për shumë vjet kam punuar në qendrën sanitare (laboratorin bakteriologjik) në rrugën “10 Korriku”, Korçë. Isha doktoreshë patologe e specializuar për tuberkulozin.

Erdha për të jetuar me burrin në Korçë pas universitetit. Mamaja ime vuante nga kanceri në kocka. Qëndronte në krevat pa lëvizur fare sepse mund t’i thyheshin kockat. Vdiq prej kësaj sëmundje. Në atë kohë i thashë vetes: “Nuk ka Perëndi,” - sepse mamaja, e cila ishte ortodokse, besonte. “Nëse ka, ku na qënka ky Perëndi që e la nënën time të vdesë? Përse duhej t’i jepte asaj një sëmundje të tillë, kaq të rrallë? Nëse bën gjëra të tilla, - i thashë vetes, - as që dua t’ia dëgjoj emrin.”

Në atë kohë kisha një shoqe, e cila më tha se njihte dikë që lexonte filxhanët e kafes. Kjo grua nuk dinte asgjë për mua, por gjatë vizitës sime të parë ajo më tregoi detaje të caktuara nga jeta ime, të cilat ishin të vërteta. Fillova ta vizitoj rregullisht gjatë tridhjetë viteve të ardhshme. Mund t’ju them shumë shembuj të gjërave që lexonte në filxhan e që ndodhnin. Kështu e vura jetën nën kontrollin e leximeve të saj. Tani e kuptoj që duke mohuar ekzistencën e Perëndisë, djalli po e përdorte këtë grua për të më plotësuar kuriozitetet e mia.

Në atë kohë, gjithashtu kisha shumë shoqe që ishin xheloze për mua. Isha një zonjushë e bukur. E them këtë nga komentet e njerëzve të tjerë. Ata i shkruanin letra anonime sekretarit të Partisë, duke i thënë se isha borgjeze ngaqë mbaja një qen shtëpie. Kur i zbulova skemat e tyre, urrejtja filloi të rritej. Urreva personin që shkroi këtë dhe e mallkova: “Gjithë turpi rëntë mbi ty dhe mbeç pa martuar ishallah për gjithë jetën.” Ndërsa e mallkoja nga inati, dri-dhje shumë të forta dhe djersë të ftohta më erdhën në të gjithë trupin. Sa herë që thoja në mallkim atë që doja, realizohej. U shoqërova madje edhe me një magjistare. E shihja veten si të drejtë dhe se një fuqi e mbinatyrshme ishte me mua duke bërë realitet dëshirat e mia. Tani e kuptoj se Satani ishte prapa tyre, më plotësonte dëshirat për të më bërë edhe më shumë të tijën. Në po këtë kohë, po ndeshesha me probleme në punë. Nuk kisha shoqe. I humba me debatet e mia. Kisha probleme në marrëdhëniet e mia me babanë, motrën dhe njerkën. Po ashtu edhe në jetën time martesore. Sillja në mendje divorcin. Tani e kuptoj se Satani të kënaq në fillim në mënyrë që më vonë të të shkatërrojë.

Në 1991, kur Shqipëria u hap, një ditë djali më tha se po sillte për vizitë një amerikan. Do të na tregonte gjëra për Perëndinë. I thashë të mos e sillte. “Nuk ka Perëndi!” Por djali nguli këmbë dhe ai erdhi. Ndërsa u lutëm së bashku, e hapa një sy dhe pashë se të tjerët i kishin mbyllur. Pastaj thashë me vete: “Po përse nuk e dëgjon?” Në fund të lutjes kisha lot në sy. Fillova të lexoja Biblën, por kisha shumë pyetje. Kur fillova, lexoja për motive të gabuara duke u përpjekur të gjeja gabime. Me kalimin e kohës fillova të kuptoj mesazhin e saj.

Më vonë u kujtova për rastin e nënës. Për kancerin e saj lexova se nuk mund t’ia lehtësoje dhembjet duke i dhënë ilaçe. Mendova për këtë. Ajo kishte dhembje të forta dhe unë nuk i dhashë kurrë ilaçe për t’ia lehtësuar ato. Jo sepse nuk doja, por sepse ajo mund t’ia dilte. S’e mbaj mend të thoshte një herë: “Oh le…le…” Kuptova nga shenjat që nëna ime, e cila besonte tek Perëndia, i kishte dhembjet të larguara prej Tij.

Një nga problemet që kisha ishte hidhërimi dhe urrejtja e madhe në zemër. Më duhej të pendohesha. Një person, me të cilin nuk flisja kurrë, u çudit kur vajta dhe i shtrëngova dorën. Ndjeja izolim të plotë për shkak të problemeve që kisha me miqtë e mi. Kam shkuar tek çdo person dhe u kam kërkuar falje. Disa prej tyre janë bërë besimtarë dhe vijnë në kishë. Dëshira ime më e madhe është të ndaj ungjillin me çdo person që njoh dhe takoj.

Kisha një shoqe të ngushtë që jeton në Tiranë. Është kimiste. Nuk e kisha parë për më shumë se 10 vjet. Erdhi të na vizitonte. Më tha: “Ndjej diçka në familjen tënde Zhaneta, që s’mund ta shpjegoj.” “A mund ta them unë çfarë është? Ndjen paqe,” – u përgjigja. “Po, është e vërtetë,” - tha ajo. “E shoh që paske ndryshuar shumë. Nuk je më Zhaneta e parë. Je një Zhanetë më e mirë.”

f. 6

Download Ujëvarë Nr 01 Prill-Qershor 2004 F. 6 - 82k

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.