Frymëzim & Mirënjohje
F r y m ë z i m . . .

Zhan Valzhan-i ishte një njeri shumë i rrezikshëm. Kur doli nga burgu pas nëntëmbëdhjetë vjetësh, në 1815, ishte gati të hakmerrej ndaj kujtdo për padrejtësinë e bërë ndaj tij. Është personazhi në romanin “Të mjerët”, shkruar nga francezi Viktor Hygo, historia e të cilit na sjell një vështrim në karakterin e hirit. Njëzet vjet më parë, Valzhan-i, kishte shpërthyer me grusht dritaren e një furre buke për të vjedhur bukë për fëmijët e uritur të së motrës. Furrxhiu e kishte kapur. Për këtë iu desh të paguante njëzet vjet burg!
Mbas lirimit të tij, rastisi të kalonte pranë shtëpisë së një episkopi. I krishteri i moshuar e priti ngrohtësisht në tryezën e tij dhe më vonë i tregoi krevatin, me çarçafë të bardhë e të pastër, për të fjetur. Megjithatë, Zhan Valzhan-i, kishte vënë re diçka tjetër: gjashtë pjata të argjendta pranë krevatit të episkopit.
Në orën 2 pas mesnate, Valzhani u çua. Nxorri një shufër hekuri prej çantës së tij. Hyri në dhomën e episkopit me qetësinë e një maceje. Papritur, drita e hënës ndriçoi mbi fytyrën e kishtarit të përgjumur. Valzhan-i u tmerrua kur pa mirësinë e këtij njeriu të rrezatonte me paqe hyjnore. Hezitoi mes dy mendimeve: t’i çante kafkën këtij njeriu, apo t’i puthte dorën. Megjithatë, Valzhan-i, rrëmbeu pjatat e argjendta dhe ia mbathi.
Në mëngjes u dëgjua një e trokitur në derën e episkopit. Jashtë qëndronin tre policë me hajdutin e turpëruar të mbajtur për krahu. Ajo që bëri episkopi ndryshoi jetën e Valzhan-it. “Ah, ja ku qënke!” - tha ai. “Gëzohem që të shikoj përsëri. Po unë të dhashë edhe mbajtësen e argjendtë të qirinjve!” – shtoi ndërsa ia dha në dorë dhe u tregoi policëve se pjatat kishin qënë një dhuratë. Kur policët u larguan, episkopi iu afrua Valzhan-it. “Mos harro,” - tha ai serioz, - “kurrë mos harro që më ke premtuar ta përdorësh argjendin për t’u bërë një njeri i ndershëm.” Ndërsa Valzhan-i largohej, zemra e tij e ngurtë u thye nga një dhuratë e tillë mëshire. Zhan Valzhani vazhdoi duke ia kushtuar jetën e tij ndihmës për të tjerët.
Një qëndrim mirënjohës!
“Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezuit, duke e falënderuar.” Lluka 17:15-16
Marta 4 vjeçare përqafonte nga një kukull në secilin prej krahëve të saj të vegjël. Teksa vështonte nënën e saj, i tha: “Mami, si ka mundësi që unë i dua, por ato nuk më duan mua?” Kur veprojmë sipas mënyrës sonë për të bërë diçka të mirë ndaj dikujt, është poshtëruese të mos të të falënderojnë. Nga ana tjetër, kur njerëzit reagojnë me kënaqësi dhe vlerësim, kjo i justifikon përpjekjet tona dhe na motivon të bëjmë akoma dhe më shumë për ta. Jezui premtoi: “…çfarëdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’ua japë.” (Gjoni 15:16). Por si çdo dhënës, Perëndia pret një qëndrim mirënjohës.
Download Ujëvarë Nr 01 Prill-Qershor 2004 F. 10 - 113k
Download Ujëvarë Nr 01 Prill-Qershor 2004 F. 11 - 79k