Mel Gibson dhe “Mbreti Po Vjen!”
Në fokus: Mbreti po vjen!
Filmi i tretë, ‘Kthimi i Mbretit’, nga seria “Zoti i Unazave’, doli në kinematë botërore para Krishtlindjes 2003. Kjo epikë trologjike plot fantazi siguroi një popullaritet të madh dhe ka fituar çmime të rëndësishme, përfshirë 11 Oskar. Në historinë botërore të kinemasë është filmi i dytë më i suksesshëm nga ana financiare, pas ‘Titanik’-ut. Filmuar në Zelandën e Re, ky ka qënë filmi më i kushtueshëm - kostoja shkoi në 350 milion dollarë.
Seria i referohet përshtatjes besnike të tre librave shkruar nga Xh.R.R. Tolkin (J.R.R.Tolkien), një besimtar i devotshëm katolik. Tolkin ishte mësues i gjuhës anglo-saksone në Universitetin e Oksfordit, Angli dhe anëtar i shoqërisë së përzgjedhur letrare të quajtur ‘Inklings’, ku përfshihej edhe miku i tij më i ngushtë, autori C.S. Ljuis (Lewis), të cilin Tolkien e ndihmoi të njihte Krishtin.
Tolkin tha dikur se ‘Zoti i Unazave’ nuk ishte një alegori e krishterë. Më vonë, në mënyrë të pandërgjegjshme në fillim, por me ndërgjegje të plotë ndërsa e rishikonte, ai pranoi se ishte ‘një punë e bazuar fetare’. Ndërkohë që ungjillorët do të dëshironin të drejtonin gishtin në ndryshimet doktrinale me Tolkien, prapëseprapë, si librat ashtu edhe filmat paraqesin një histori të thellë krishtërimi me një alegori. Në luftën kozmike midis të mirës dhe të keqes, Elvët mund të shihen si engjëj që fuqizojnë dhe mbrojnë ‘shoqërinë e të mirëve’ kundër ushtrive demoniake të Orkëve. Sauron, Zoti i Errësirës, përfaqëson Satanin. Tolkin thotë: “Gjithmonë pas një disfate apo pushimi, ‘Hija’ merr formë tjetër dhe ngrihet përsëri.”
Krishti mund të shihet në tre personazhet më të rëndësishme të historisë: Gandalfi, njeri me fuqi të mbinatyrshme që jep jetën e vet për të shpëtuar miqtë dhe kthehet nga vdekja në formë të pastër ringjalljeje. Mund të shihet tek Hobiti i vogël, Frodo, i cili merr përsipër detyrën e shkatërrimit të së keqes përgjithmonë, duke mbajtur ‘të vetmen unazë’ drejt eleminimit përfundimtar me peshën e madhe të vuajtjeve përmbi supet e tij.
Megjithatë, tek “Kthimi i Mbretit”, ndoshta karakteri i Aragornit duhet të na tërheqë vëmendjen në këtë pikë. Në fillimin e filmit të parë ai shfaqet si një luftëtar i mistershëm që mbron Hobit e vegjël në udhëtimin e tyre. Por ata nuk e kuptojnë që po udhëtojnë me një mbret jashtë mbretërisë së tij. Breza të tërë njerëzish kanë pritur pasardhë-sin që do të shpallë sundimin e tij. Aragorni është mbreti i drejtë që kthehet në tokën e tij për t’u sjellë paqe, shërim dhe bashkim njerëzve. “Por, kur u çua Aragorni, të gjithë e vështruan të mahnitur e në qetësi …urtësia qëndroi mbi ballin e tij; në duart e tij kishte fuqi dhe shërim dhe një dritë e rrethonte. Atëherë Faramiri thirri: ‘Ja Mbreti!’” (shkëputur nga ‘Kthimi i Mbretit’). Kjo na sjell në mendje një tjetër mbret, Mbretin e Mbretërve, i cili gjithashtu do të kthehet në tokat e Tij. “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e Tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së Tij…” Isaia 9:5-6a.
Ejani dhe vlerësojeni vetë historinë! ‘Kthimi i Mbretit’ do të shfaqet në ekran me përmasa kinemaje, në qëndrën ‘Relax’, Korçë, në datën 1 Maj ora 18:00. Filmi është falas, por kërkohet që të blini nga një pije freskuese.