Progresi i Pitkinit
I dashur z. Grimsdeill!
Si shkon jeta në Angli? A e more letrën që të shkrova për personin që më ndihmoi me kartën e tij telefonike? U ndjeva shumë i turpëruar kur ai grisi pjesën e pasme të pantallonave në qendër të Korçës.
Tani do të të tregoj për një ditë pushimi. Këtu ka bërë shumë nxehtë, kështu që një fundjavë vendosa të shkoj në Pogradec. Është një qytet buzë një liqeni të madh e të bukur. Dola te vendqëndrimi i furgonave në 6:00 të mëngjesit. Menjëherë u sulën drejt meje pesë shoferë furgonash. Dy nga ata filluan të grindeshin me njëri-tjetrin. Të tjerët çirreshin duke më thënë: “Hajde se jam gati. Edhe një dua, djalosh!” Dy prej tyre më zunë nga krahët dhe filluan të më tërhiqnin në drejtime të kundërta. Përfundimisht shkova me dikë të quajtur Sanka. Për çudi, brenda furgonit të tij ishte vetëm një plak. Ai rrinte ulur me një këmbë drejt lindjes dhe tjetrën 180 gradë në drejtim të kundërt, sikur ia kishte shaluar kalit. “Do të shkojmë të marrim të tjerët.” – tha shoferi duke ndezur furgonin. Eeeh, more zoti Grimsdeill, për katër orë rresht erdhëm vërdallë rreth qendrës së Korçës. Nuk i gjetëm kurrë ‘të tjerët’. “Nëse nuk nisesh tani për Pogradec, do të zbresim fare.” – i bërtiti plaku. Atëherë me zor të madh ai mori rrugën drejt veriut.
Ecëm për pak minuta, kur Sanka qëndroi. Në krah të rrugës qëndronte një burrë me një ari të murrmë. “Pogradec?” – thirri ai. “Po.” – u përgjigj shoferi. “Merre pak ariun deri në Pogradec.” – tha burri. “Im kushëri, Loli, do të dalë atje ta marrë. Turistët vdesin të bëjnë fotografi me të.” Të dy ia dhanë gazit. Kështu ariu qëndroi në të djathën time duke më vështruar i uritur. Pas pesë minutash dikush ndoti zhurmshëm ajrin. Shoferi uli xhamin e derës, ndërsa plaku më vështronte mua! Ktheva kokën ngadalë për të parë ariun dhe m’u duk sikur po buzëqeshte. Më pas shoferi ndezi kasetofonin. Dukej si muzikë greke dhe zëri ishte kaq i lartë saqë xhamat filluan të dridheshin .
Në një fshat të quajtur Vashtmi, shoferi hapi derën dhe plot 23 veta hynë në furgon. Në pjesën e pasme të furgonit u fut një fis i tërë. Plaku më ofroi diçka të mbështjellë me gazetë. “Pastërma!” – tha ai. U mundova ta kafshoja, por nuk copëtohej. Ndërsa e kafshova më fort, m’u thye një dhëmb.
Dy burra të ulur prapa meje filluan një debat. “Kur ishim ne në pushtet kishte bukë për të gjithë, kurse tani ju po sillni edhe barin nga jashtë!” – thoshte njëri. “Po në ‘97-ën ju nuk mbrojtët dot as depot e barit!” – ia ktheu tjetri. Atëherë të gjithë filluan të flisnin me zë të lartë. Nga zhurma, një fëmijë i vogël filloi të qajë me të madhe. “Policia! Ulini kokat!” – thirri papritur shoferi. Të gjithë ulën kokën, përveç ariut dhe nuk e hapën gojën derisa shoferi tha: “Ua hodhëm.” Atëherë debati filloi përsëri. A thua zoti Grimsdeill se e gjitha kjo nuk mjaftonte kur një grua filloi të fliste me zë të lartë në celular - “Alo, shiko gjellën mbi sobë.” Muzika greke po tundte dyert; pluhuri po hynte brenda nga dritarja që ishte hapur; gjuri i këmbës së djathtë të plakut më ngushtonte së tepërmi dhe dhëmbi më bënte të ulërija. Atëherë ariu lëshoi përsëri një nga ato të tijat…
Kur qëndruam pranë disa tezgave, zbrita dhe i dhashë shoferit paratë. Bleva një tufë të madhe me qershi që kuqëlonin dhe pushova për gati një orë. Ishin shumë të ëmbla dhe hëngra pothuajse një kile.
![]()
Në horizont mund të shihja liqenin dhe fillova të ndjehesha më mirë. U ktheva në Korçë shumë vonë dhe i futa një gotë çaji të fortë anglez.
Do të të shkruaj përsëri. M I R U P U F S H I M!
Miku yt i mirë,
Pitkini
Progresi i Pitkinit është plotësisht një krijim i sajuar i ujëvarë-s. Historia e vërtetë e Normanit, ‘My Turn’ është botuar nga Century Books.