Dëshmi

Klea

Doktori i klinikës ruse të syve në Tiranë, vështroi syrin e Kleas e më pas dosjen e saj. Nuk ishte i qartë. “S’kishte ç’të thoshte kur i përmenda fjalët e tij se vajza ime nuk do të shihte më përsëri, por ishte i prekur.” - thotë babi i Kleas, Mehmeti.

Gjashtë vjet më parë, në shtator 1998, Mehmet dhe Roza Zenelaku nga Ponçara, afër Bilishtit, vunë re se vajza e tyre, Klea, kishte një shenjë të vogël, të bardhë në qendër të syrit të djathtë. “Nuk kishte as temperaturë e as ndonjë sëmundje. Menduam se ndoshta e kishin marrë më sysh.” - thotë Mehmeti. Gjatë dy muajve në vijim vështrimi i saj u keqësua. Pas disa vizitave në Korçë ata e çuan Klean tek një specialist në Tiranë. Ai tha se vajza katër vjeçare ishte shumë e vogël për t’u operuar dhe kjo mund ta bënte syrin më keq.

Atëherë Mehmeti e çoi vajzën në një spital në Selanik. Pas katër ditë vizitash doktorët dolën në të njëjtin përfundim: vajza ishte tepër e vogël për operim. Problemi që u shfaq ishte i dyanshëm: Klea kishte një perde si edhe një katarakt ujërash e gjaku. Kur Mehmeti e çoi Klean për herë të dytë në të njëjtin spital, në shtator 1999, ajo ishte plotësisht e verbër nga syri i djathtë. “E dija këtë sepse shpesh herë rrëzohej.” - thotë Mehmeti.

Në muajin mars të vitit 2000, doktorët në Selanik ishin gati ta operonin. “Ata thanë se operacioni do të kishte 70% mundësi të dilte me sukses për heqjen e perdes së bardhë, por nuk më dhanë ndonjë shpresë që ajo do të shikonte përsëri.” - shpjegon Mehmeti. “Do të ishte vetëm nga ana kozmetike. Isha në një dilemë të vërtetë. S’dija çfarë të bëja.” Pasi bisedoi me familjen, ai vendosi të mos e bënte operacionin.

Mehmeti vendosi ta çonte vajzën në klinikën e syve, Uznova, në Tiranë me shpresën se do të gjente një zgjidhje. Aty i rekomanduan se operacioni bëhej vetëm në qendrën e tyre në Rusi. Mehmeti bëri përgatitjet; çmimi vetëm për vizat dhe biletat e avionit ishte 1110 dollarë. Në 13 janar 2003, Mehmeti e çoi Klean deri në Moskë. “Ata thanë se vajza ime kishte lindur me këtë problem dhe nuk do të shihte më,” - thotë ai. “Thanë se mund të bënin një operacion por do të ishte vetëm për pamjen e jashtme. U inatosa dhe u thashë doktorëve: ‘Përse më sollët deri këtu kur nuk mund ta bëni të shikojë përsëri?’” Doktori shpjegoi se e kishte informuar me një faks klinikën në Tiranë. “Ma kishin lexuar faksin vetëm një ditë para se të nisesha për në Rusi, kështu që nuk dija ç’të bëja.” - thotë Mehmeti. “Kisha paguar gjithçka. Kisha biletat dhe vizat. Çfarë të bëja tjetër? Doja të shihja se mos kishte ndonjë mundësi!” Kur doktorët thanë përsëri se ekzistonte 30% mundësia për ta dëmtuar syrin vetëm duke hequr perden, Mehmeti vendosi të kthehej në Tiranë. “Ndihesha shumë keq. Nuk kisha çfarë të bëja tjetër.” - thotë ai.

Mësuesja e Kleas, Alketa Xhafi, është anëtare e Kishës Ungjillore në Bilisht. Bashkë me anëtarë të tjerë e mbanin Klean në lutjet e tyre. “I thashë mamasë së Kleas: ‘Roza, mos u mërzit. Ne do të lutemi.’” - thotë Alketa. “E di se Perëndia po bën diçka.”

Kur Mehmeti dhe Klea u kthyen në shtëpi nga Moska, Alketa i kërkoi pastor Arjan Larashit nëse kisha e Bilishtit mund të lutej së bashku për Klean. U organizua një takim në shtëpinë e Alketës dhe u mblodhën tetëmbëdhjetë vetë. “U mblodhëm përreth Kleas dhe vendosëm duart tona mbi syrin dhe kokën e saj, ndërkohë që të tjerë luteshin dhe lavdëronin Perëndinë.” - thotë Alketa. “Arjani i kërkoi të mbyllte syrin me të cilin shikonte. Unë i thashë, duke lëvizur dorën para syrit tjetër: ‘A mund të shikosh?’” “Nuk shikoj asgjë. Shikoj mjegull. Gjithçka është mjegull.” - u përgjigj Klea.

“E provova dy herë për të qenë e sigurt.” - thotë Alketa. “Kishte një problem me besimin tim në këtë moment sepse nuk mund ta besoja se do të ndodhte.”

Mamaja e Alketës i kërkoi Kleas të shikonte përsëri. “E di që mund të shikosh.” - tha ajo. “I thashë: ‘A mund të shikosh tani se sa gishta janë?’” - thotë Alekta. “Mbuloi syrin e shëndetshëm dhe tha: ‘Tani mund të shikoj që ke dy gishta.’” Njerëzit në dhomë u habitën. Alketa e provoi përsëri. “Ajo thoshte numrin e saktë të gishtave. Të gjithë po bërtisnin, por shumica po qanin në atë çast.”

“Të gjithë që ishim në dhomë filluam të qanim.” - thotë pastor Arjani. “Lavdëruam Zotin. Kërcyem. U hodhëm mbi divanë nga gëzimi!”

Alketa e bëri gati Klean për gjumë. “E pyeta: ‘A je e sigurt se nuk shihje?’” - “Po mësuese.” - tha ajo. “I thashë shumë herë: ‘Sa gishta kam tani… po tani… po tani…?’ Gjithmonë thoshte numrin e duhur.” Në mëngjes u bënë edhe prova të tjera, kur prindërit e saj erdhën nga Ponçara. Me syrin e shëndetshëm të mbuluar, Klea mund të dallonte ngjyrat, celularët, pultin e televizorit…

Që nga ajo kohë syri i djathtë i Kleas është përmirësuar ndjeshëm. Katarakti u largua. Prindërit e saj kanë filluar të ndjekin takimet e kishës në Bilisht. Pas një viti, pikërisht në 24 janar 2004, Mehmeti e çoi përsëri vajzën tek klinika ruse në Tiranë për vizitë. Ajo që panë i la doktorët pa fjalë.

Download Ujëvarë 2 Faqe 6 - 89239 bytes

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.