Fjala Sot

Fjalë të hirshme

“Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir…” Kolosianëve 4:6

Një legjendë thotë se dielli dhe era patën një ditë një debat se kush ishte më i forti. Kur një udhëtar po ecte përgjatë rrugës, ata vendosën t’i jepnin fund grindjes duke parë se kush do ta detyronte udhëtarin të hiqte xhaketën.

Download Ujëvarë 2 Faqe 11 - 77243 bytes

Dielli u fsheh prapa një reje dhe era shpërtheu mbi njeriun, por kjo e bëri atë të shtrëngonte edhe më fort xhaketën pas trupit. Pastaj, dielli doli me ngrohtësinë e tij përkëdhelëse dhe ndriçoi mbi burrin. Atëherë ai u detyrua të hiqte xhaketën. Mendoni pak për këtë! Fjalët e thëna me inat i bëjnë të tjerët vetëm të tërhiqen, të ndrydhen apo të mbyllen në vetvete, sidomos nëse ndihen të pasigurt. Këto fjalë vetëm sa konfirmojnë frikën dhe mendimet e tyre më të këqija që kanë për veten! Por fjalët e hirshme i ndihmojnë ata… të jenë të hapur…, të zbulojnë se cila është e mira brenda tyre… dhe i motivojnë të ngjiten më lart.

Çdo fjalë që thoni sot ose do të ngrejë dikë, ose do ta ulë poshtë! Mbajeni mend këtë! Pali shkruan: “Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është… për ndërtimin… që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.” (Ef. 4:29). Solomoni thotë: “… por gjuha e të urtëve sjell shërim.” (Fja. 12:18).

Njerëzit do të riprodhojnë ato fara që ne mbjellim në ta. Nëse vazhdoni t’u thoni se janë të paaftë dhe të padobishëm, ndoshta kanë për të rënë. Por nëse vazhdoni t’i lavdëroni dhe t’u tregoni se cila është e mira brenda tyre, atëherë ata do të bëjnë çdo përpjekje për të justifikuar besimin tuaj. Dëgjoni përsëri: “Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir …” (Kol. 4:6). Sot përpiqu të thuash fjalë të hirshme.

Po lutem për ty!

“…unë do t’i lutem Zotit për ju.” 1 Samuelit 7:5

Kur dikush thotë: “Po lutem për ty”, a i përgjigjesh me një “Falemnderit” të sjellshme dhe pastaj e harron shpejt? Mos e harro! Nuk ka shprehje dashurie më të madhe se kjo!

Mund të jesh duke e lexuar këtë pjesë pa qenë i ndërgjegjshëm se mund edhe të mos e lexoje nëse dikush nuk do të ishte lutur për ty! Jezui i tha Pjetrit: “…Satani ka kërkuar t’ju shoshë… Por Unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.” (Llu. 22:31-32). A iu përgjigj Perëndia kësaj lutjeje? Pa dyshim! Pavarësisht nga mohimi i tij i turpshëm ndaj Krishtit, Pjetri udhëhoqi një nga zgjimet më të mëdha shpirtërore në histori dhe dy libra në Bibël mbajnë emrin e tij.

Në lutje nuk ka distancë! Nëpërmjet lutjes ti mund të vendosësh veten në çfarëdo lloj situate dhe në çdo kohë duke kërkuar premtimin: “Të gjitha ato që ju kërkoni duke u lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni.” (Mr. 11:24).

Kur filistejtë u nisën të sulmonin Izraelin, Samueli ndërhyri dhe “i thirri Zotit për Izraelin.” Si rezultat “…Zoti bubulloi me buçimë… kundër filistejve…” (1 Sam. 7:10).

Perëndia vjen me anë të ftesës. Lutjet e tua janë hyrjet e Tij në situatë. Sa herë që lutesh në emër të Jezuit, Fryma e Shenjtë autorizohet të plotësojë për hatrin tuaj ato lutje të cilat nuk mund të plotësohen në ndonjë mënyrë tjetër. Herë tjetër kujtohu për këtë kur dikush të thotë : “Po lutem për ty!”

Përkthyer me leje nga ‘The Word for Today’.

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.