Komente shoqërore – Diteo Tytymçe

Diteo Lajme, Mars 2004: “Funerali i dy fëmijëve shqiptarë, vdekja e të cilëve shkaktoi një valë të re dhune në Kosovë, u krye qetësisht… Një valë e re dhune ka shpërthyer në Kosovë… Njoftohet se ka të vdekur… Kjo është vala më e rëndë e dhunës në Kosovë që prej kohës që NATO ndodhet atje… Organizmat ndërkombëtare fajësojnë shqiptarët për refuzimin e të drejtës ndaj komunitetit serb për të jetuar në siguri… Shqiptarët akuzojnë serbët për mosnjohje të kërkesave të tyre për pavarësi…”

Urrejtja dhe hakmarrja pushtuan Kosovën dhe hapën plagët “e vjetra” të shqiptarëve dhe serbëve. Katër vjet qetësi dhe mjaftuan vetëm disa orë që dhuna të rifillonte. Njerëzit braktisën normalitetin dhe filluan të vrisnin njëri-tjetrin. Hakmarrja ua kishte errur çdo koncept gjykimi. Thirrjet ndërkombëtare dhe ato të brendshme për qetësi nuk i dëgjonte njeri.

Konflikti i vjetër nuk është harruar në Kosovë. Ai qëndron i fshehur, atje në shpirtrat e njerëzve dhe pret vetëm që dikush t’i hapë derën për të dalë përsëri. Plagët dhe zemërimet e së shkuarës nuk janë shëruar; ato presin vetëm ditën e hakmarrjes. Thirrjet për paqe nuk kanë asnjë vlerë sepse problemi është tepër i vështirë për t’u zgjidhur me thirrje për paqe. Ai është thellë, në brendësi të njerëzve. Urrejtja e vjetër është e freskët si ditën kur lindi. Dëshira për hakmarrje është më e ëmbël se çdo dëshirë tjetër. Shpirtrat janë helmuar tërësisht nga dëshira për hakmarrje. Askush në Kosovë nuk e ka falur krimin e kaluar të serbëve. Falja është një fjalë që ka dalë nga fjalori si për kosovarët, ashtu edhe për serbët. Kosova dhe Serbia, Rusia dhe Çeçenia, Izraeli dhe Palestina në lindjen e mesme nuk falin dot njëri-tjetrin dhe rreziku qëndron si një shpatë mbi ta. Konfliktet e vjetra nuk marrin dot fund dhe nga çasti në çast shpërthen një tjetër. Rreziku i madh është se njerëzit nuk janë në gjendje të falin njëri-tjetrin. Me këto dëshira ne kemi helmuar atë që Perëndia ka krijuar të pastër brenda nesh.

Luis Smids shkroi: “Hakmarrja është një dëshirë që kërkon të jesh barabar. Është një dëshirë e zjarrtë për t’i shkaktuar dikujt dhimbje në të njëjtën masë që ai të ka shaktuar ty… Problemi me hakmarrjen qëndron në faktin se ajo nuk kënaqet dhe nuk ngopet kurrë me atë që bën, por gjithmonë kërkon të bëjë akoma e më shumë dhe kështu rezultati nuk barazohet kurrë. E drejta nuk do të vijë kurrë prej saj. Ajo shkakton një reaksion zinxhir deri në një veprim tjetër hakmarrës dhe gjithmonë mbart mbi vete një mallkim të fshehtë. Ajo lidh të dëmtuarin dhe dëmtuesin pas një shkalle rrotulluese dhimbjesh. Të dy këta janë të bllokuar në këtë shkallë deri sa të vendoset barazia, por ajo nuk do të vijë kurrë sepse kjo shkallë nuk ndalon së rrotulluari dhe nuk lejon asnjë të shkëputet.” Në këtë shkallë zakonisht vërtiten të gjithë njerëzit, deri sa dikush bie përdhe i dërrmuar.

Tani lind pyetja: “Po sikur Krishti të mos na falte kur po e vrisnim, ç’do të ndodhte?” Si do të qëndronin gjërat për njerëzit nëse Krishti do të ishte si Hitleri? Falja ka fuqi të madhe dhe falja që ndodhi atje në kryq çliroi gjithë njerëzimin. Nëse Perëndia do të hakmerrej për të barazuar dhimbjen që Ai provoi atje në kryq, mendoj se njerëzit do ishin një histori e zhdukur tashmë. Perëndia e dha faljen si dhuratë dhe njerëzit nuk e çmuan atë si të rëndësishme. Ata e konsideruan një dobësi dhe jo si virtyt. Hakmarrja do barazimin që nuk vjen kurrë, ndërsa falja do që jeta të vazhdojë. Falja duket si diçka e padrejtë kur të tjerët të kanë lënduar - kështu duket në pamje të parë - por të paktën ajo shërben për të ndalur e qetësuar brengën e shpagimit dhe hidhërimit. Falja është një cilësi e ekzistencës sonë si krijesa të Perëndisë dhe arsyeja që jemi të krishterë. Nuk duhet ta harrojmë kurrë faktin se Zoti Krisht na urdhëroi në ungjijtë e Tij që ta zbatojmë faljen e Tij në çdo kohë sepse ky është ligji i së vërtetës; ta duash dhe ta falësh të afërmin tënd.“

Download Ujëvarë 2 Faqe 7 - 121356 bytes

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.