Pyetje & Përgjigje

P&P zbulon Saimir Braho

Na trego pak për një çast të rëndësishëm në kthimin tënd te Krishti.

Saimir Braho Në vitet nëntëdhjetë e kisha ëndërr të bëhesha muzikant, si Bitëllsat, Rolling Stonsat apo Bob Dilani. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeç fitova një çmim me grupin ‘Ritfolk’ dhe kështu ëndërra u bë realitet; jo në botë apo Evropë, por këtu në Shqipëri dhe për mua kjo nuk ishte diçka e vogël. Para kësaj askush nuk më njihte; tani njihesha kudo nga njerëz që më kërkonin autograf. Megjithatë, në 1997-ën u shkatërrua gjithçka. Nuk ishte më koha për gjëra artistike; njerëzit përpiqeshin të mbijetonin. Para ‘97-ës mendoja se nëse do të realizoja këtë ëndërr, mund të realizoj çdo ëndërr tjetër. Kështu ëndërra që kisha po fryhej. Pas ‘97-ës pashë se sa lehtë mund të shkatërroheshin ëndërrat. Në mendje më vinin disa pyetje: “Ç’ndryshim ka nëse jeton apo vdes? Nëse nuk ka një ëndërr nuk ka kuptim. Atëherë përse jeton?” U përpoqa të kërkoja ndihmë prej njerëzve që njihja, por e kuptova se edhe ata kishin të njëjtat probleme si unë, kështu që si mund të më ndihmonin? Fillova të kërkoja diçka që nuk do të largohej apo të ndryshonte – një ëndërr që nuk mund të shkatërrohej. I thashë vetes: “Atje ku të jetë ky vend, atje është e vërteta.” Kisha dëgjuar se Perëndia është ‘diçka’ që nuk largohet e nuk ndryshon. Thashë: “Perëndi! Nëse ekziston, më ndihmo!” Më ndihmoi dhe unë renda drejt Tij.

Si ka ndikuar besimi yt mënyrën e vënies në jetë të thirrjes tënde si krijues?

Kur je në të vërtetën, gjithçka përshtatet në vendin e duhur. Është diçka shumë e mrekullueshme. Tashmë e di përse këndoj. Kjo nuk është vetëm një njohuri e mendjes; gjithë qenia jote e di përse punon. Është e tmerrshme të jesh në një rrugë dhe të mos e dish ku të çon. Sikur ta dini se ç’lehtësim që është! Në punën që bëj e di se përse luaj qoftë edhe vetëm një akordë. Nëse një këngë i jep lavdi Perëndisë, ndihem i kënaqur. Këndoja pa e ditur përse, por tani e di. Imagjinoni ndryshimin!

A mund të na thuash tre parime bazë në të qenit besnik si një artist i krishterë?

Me profesionin tënd jepi lavdi Perëndisë. Mbani mend që Krishti ka thënë se duhet të jemi kripë dhe dritë për të treguar atë që Ai ka bërë në jetët tona. Së dyti, mendoj se artisti rrezikohet gjithmonë të bëhet krenar në punën e tij. Një artist mund të bëhet i famshëm brenda një kohe shumë të shkurtër; me një këngë, pikturë, rol apo film. Gjithmonë kontrollo zemrën. Është një lutje interesante që thotë: “Perëndi! Më mbro prej vetes, nga dëshira që kam për të qenë i pëlqyer prej kujtdo.” Kjo ka qenë një sfidë për mua. Së treti, shpesh arti vjen prej ndjenjave, por kjo nuk do të thotë se njohuria duhet të lihet mënjanë. Njohja e Fjalës së Perëndisë është shumë e rëndësishme.

Çfarë do t’i thoshit një besimtari që dëshiron të bëhet këngëtar - kantautor?

Nëse i këndon një këngë Perëndisë, e vetmja cilësi që nevojitet është që të vijë prej zemrës. Kur dikush i jep lavdi Perëndisë mund të jetë edhe vetëm një akordë. Por nëse dëshiron t’i paraqitësh botës atë që ka bërë Perëndia në jetën tënde, duhet punë për zanatin tënd dhe puna duhet të ketë profesionalizëm.

Cili është projekti yt i ardhshëm muzikor?

Këngët që kam kënduar gjatë katër viteve të fundit i kam hedhur në një album. Titullohet “Unë besoj” dhe gjendet në dyqanet e Euro Starit. Dëshiroj të nxjerr një album të ri sapo të jetë e mundur. Kam shumë motive por akoma jo tekstet… ndoshta nga viti tjetër.

Çfarë ka qene një gjë e mirë që Perëndia ka bërë për ty javën e fundit?

(Qesh) Ka shumë gjëra! Unë dhe gruaja ime u lutëm të kishim një punë së bashku në të njëjtin projekt. Më pas drejtori i teatrit na tha: “Kemi nevojë për dy aktorë të rinj. A dëshironi të merrni pjesë bashkë në këtë teatër?”

Download Ujëvarë 2 Faqe 3 - 94891 bytes

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.